Pozita Gjeografike

Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, rajoni i Anamoravës. Është njëra nga komunat e mëdha të vendit. Pozita gjeografike që ka i mundëson asaj lidhje të mira me qendrat tjera të Kosovës dhe të rajonit.

 

Rreth qytetit të Gjilanit shtrihen bregoret Kodra e Dëshmorëve (Popovica), Gllama, Dheu i Bardhë, fusha e Malishevës, Zabeli i Sahit Agës dhe Bregu i Thatë. Nëpër qytet kalojnë tre lumenj të vegjël, Mirusha, Banja dhe Stanishori, të cilët bashkohen dhe derdhen në Moravë, në perëndim të fshatit Uglar.

 

Gjilani është larg nga Prishtina, kryeqendra e Kosovës, 47 kilometra, nga Kamenica - 29 km, nga Vitia - 20 km, nga Artana – rreth 20 kilometra. Me komunat e regjionit kufizohet, në juglindje me Preshevën (33 km) dhe Kumanovën, ndërsa në lindje – me Bujanocin (40 km).

 

Ndërtimi i rrugës Gjilan-Lipjan, nga drejtimi i Kishna Polës, shkurton dukshëm distancat e kësaj komune me aeroportin e Prishtinës, rrugën e kombit si dhe me hekurudhat e Kosovës, në Ferizaj dhe Lipjan. Gjilani do të lidhet së shpejti edhe me Kumanovën, nga drejtimi i Stançiqit, përmes një pikë doganore.

 

Gjilani ka kushte të mira për bujqësi dhe njihet si qytet agro-industrial. Ka klimë të mesme kontinentale, me vera të nxehta dhe dimra të ftohtë. Temperatura mesatare e janarit është -0.9 shkallë celciuz, ndërsa temperatura mesatare e korrikut – 21.5 gradë. Në vjeshtë, këtu bien shira, mesatarisht 177 mm, ndërsa në verë – 129 mm. Sasia e reshjeve në pranverë është 145 mm dhe në dimër – 130 mm.

 

Rrethinën e Gjilanit e përcakton lumi Morava e Binçës, i cili mbledhë gjithë lumenjtë e vegjël, me një prurje mesatare mujore prej 6.7 metra kub /sekondë/. Në juglindje rrethohet nga malet e Karadakut.

 

Koordinatat e shtrirjes së qytetit të Gjilanit janë 42 shkallë në veri dhe 21.20 shkallë në lindje dhe në një lartësi mbidetare qyteti prej 501 dhe 590 m ndërsa regjioni prej 475 m në Budrikë deri në 1000 m lartësi mbidetare në zonën kufitare me Maqedoninë (Stanqiq).

 

Rrethina e Gjilanit është e pasur me xehe (hekur e leucid) dhe me burime minerale (Nasalë, Pidiq, Kmetoc, Uglarë, Përlepnicë).

 

Në hartat sizmike, Gjilani njihet si rajon me shkallë të lartë rrezikshmërie. Në vitin 2002, është goditur nga një tërmet, i cili ka lënë një të vdekur, dhjetëra të lënduar dhe mbi 8 mijë objekte publike dhe private të dëmtuara. 

Gjilani është binjakëzuar me qytetet dhe komunat Luterbah (Francë), Iper (Belgjikë), Jelderim (Turqi) dhe të tjera.  

 
Popullsia
 
Popullsia e Gjilanit, përherë ka qenë e përzier, por me një shumicë dominuese të shqiptarëve, si gjatë sundimit turk, ashtu edhe atij serbo-jugosllav. Komuna llogaritet t`i ketë rreth 150 mijë banorë, meqenëse numri i saktë nuk dihet, pasi që këtu nuk është bërë regjistrim zyrtar i popullatës prej vitit 1981. Rreth 89 për qind të kësaj popullsie e përbëjnë shqiptarët, ndërsa pjesa tjetër janë serbë, romë, turq dhe të tjerë.
 
Hapësira e komunës deri më 2010, përfshinte një territor prej 515 km/2, 63 vendbanime, 54 zona kadastrale. Decentralizimi, si proces i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare, në kuadër të pakos së Ahtisarit, ka hequr kësaj komune rreth 130 km/2, të cilat i janë bashkuar komunës së re të Parteshit, ose komunës së zgjeruar të Artanës.
 
Artanës i janë bartur zonat kadastrale: Dragancë, Koretishtë, Kufcë e Epërme, Makresh i Epërm, Makresh i Poshtëm, Mozgovë, Parallovë, Stanishor dhe Strazhë. Ndërkaq, Budriga, Parteshi dhe Pasjani përbëjnë komunën e re të Parteshit.
 
Decentralizimi e ka ndryshuar dukshëm strukturën nacionale të popullsisë në komunën e Gjilanit. Tani këtu, pos në qytet, komuniteti serb jeton në Shillovë, që është fshat njëetnik, në Ponesh, Cërnicë, Kmetoc e Livoç i Epërm, që janë vendbanime me popullsi të përzier. Komuniteti turk është i koncentruar kryesisht në qytet dhe në fshatin Miresh. Romët jetojnë në qytet, në dy lagje.  
 
Vendbanimet
 
Vendbanimet e komunës së Gjilanit janë këto: Bresalc, Bilinicë, Capar, Bukovik, Burincë, Velekincë, Vrapçiq, Lladovë, Llashticë, Vërbicë e Kmetocit, Gadish, Kosaqë, Kurexhaj, Livoç i Epërm, Sllakoc, Livoç i Poshtëm, Demiraj, Dunav, Zhegoc, Vërbicë e Zhegocit, Zhegër, Kokaj, Kmetoc, Kishnapole, Kravaricë, Lipovicë, Llovcë, Gumnishtë, Goden, Malishevë, Myqibabë, Nasalë, Pogragjë, Ponesh, Përlepnicë, Pidiq, Sllubicë, Stançiq, Selishtë, Stublinë, Cërnicë, Çelik, Shurdhan, Uglar, Terzijaj, Haxhaj.
 
Qyteti i Gjilanit përbëhet prej dhjetë lagjeve, pesë shesheve dhe ka 150 rrugë të emërtuara.
 
Gjilani e kremton ditën e çlirimit më 15 qershor.