Komiteti pėr Shėndetėsi miratoi kriteret pėr punėsim nė QKMF

 

Gjilan, 18 mars / Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i komunës së Gjilanit ka miratuar kriteret për punësim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, të cilat, në kushte të barabarta favorizojnë kandidatët me notë më të lartë mesatare të studimeve, derisa në të njëjtin konkurs nuk do të mund të pranohen dy anëtarë nga e njëjta familje, nëse ka kandidate të tjerë me kushte të barabarta.

 

Po ashtu, Komiteti ka vendosur që kandidatët nga familjet e dëshmorëve dhe veteranët e luftës të kenë gjysmë pike më shumë në krahasim me të tjerët, sikurse do t`i pranohet një përparësi e vogël, në kushte të barabarta, kandidatit që ka diplomuar më herët.

 
Kriteret janë analizuar nga anëtarët e Komitetit, dr Abdylatif Latifi, dr Jashar Jashari, dr Sanije Poroshtica,  dr Nexhat Halili, dr Hajriz Ibrahimi, Sami Ahmeti dhe Elez Muja, të cilët kanë dhënë sugjerimet e tyre, por në parim janë pajtuar me propozimet.
Me propozimin e tyre janë ulur pikët vlerësuese për notën mesatare, si dhe janë shtuar është shtuar kriteri që favorizon familjet e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës.  
Dr Xhemajl Salihu, drejtor komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se kriteret bazike për punësim në QKMF janë të balancuara dhe korrekte. 
Dr Abdylatif Latifi, kryesues i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se këto kritere do të fillojnë të zbatohen që tani, në konkursin për pranimin e 4 mjekëve të përgjithshëm dhe të një stomatologu, ku kanë aplikuar 23 kandidatë.
Sipas autoritete shëndetësore të Gjilanit, në këtë komunë nuk ka asnjë mjekë të papunë, sepse që të gjithë janë angazhuar në mjekësinë primare , qoftë në mënyrë të rregullt, qoftë përmes marrëveshjes që kryetari i Komunës ka bërë me një shoqatë të kësaj fushe, për punësimin e përkohshëm të mjekëve të diplomuar.
Edhe aplikantët në konkursin e QKMF-së, për 4 mjekë të përgjithshëm dhe një stomatolog, janë të angazhuar në punë, por ata duan që në sistemin shëndetësor të punësohen në mënyrë të rregullt dhe të përhershme.


Data: 18.03.2011