Komisioni disiplinor ka shqiptuar masa ndaj 161 nxėnėsve

 

 

Gjilan, 21 mars / Komiteti për Arsim është njoftuar të hënën, në takimin e radhës, me masat që komisioni disiplinor ka shqiptuar deri më tani, ndaj nxënësve të pa disiplinuar, në shkollat e mesme të komunës së Gjilanit. 
 
Një marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet prindërve, kujdestarëve të klasave dhe nxënësve, lidhur me vijimin, disiplinën, rendin dhe rregullin shtëpiak në shkollat e mesme të komunës së Gjilanit, po i jep rezultatet e para, është thënë nga anëtarët e këtij komiteti të linjës. 
 
Bujar Nevzati, drejtor komunal për Arsim, ka thënë se deri më tani, komisioni disiplinor ka shqiptuar masën e largimit nga shkolla për një vit, transferit, ose pezullimit me kusht, ndaj gjithsej 161 nxënësve të shkollave të mesme.
 
Kësisoj, në shkollën e mesme “Zenel Hajdini” janë shqiptuar masa disiplinore ndaj 74 nxënësve, në “Arbëria” ndaj 41 nxënësve, në “Mehmet Isai” – ndaj 14 nxënësve si dhe në shkollën “Marin Barleti” ndaj 22 nxënësve.  
 
Të gjitha masat disiplinore ndaj nxënësve, janë shqiptuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it, për sjelljen dhe disiplinën e nxënësve nëpër shkolla, ka thënë Nevzati.
 
Sipas tij, efekti pozitiv i këtyre masave vërehet te vijueshmëria në mësim, pasi që në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti, krahasuar me atë të vitit paraprak, ka një rënie të dukshme të numrit të mungesave pa arsye, për rreth 18 mijë, por ka edhe tregues të tjerë pozitiv në procesin arsimor.
 
Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit për Arsim, ka thënë se ka hapa pozitiv në ngritjen e disiplinës së përgjithshme në shkolla, derisa është rritur edhe interesimi i prindërve për fëmijët e tyre.
 
Saranda Bllaca, anëtare e komisionit disiplinor, ka thënë se ajo nuk është ftuar në procedurat e shqyrtimit të përgjegjësisë së nxënësve dhe shqiptimin e masave, por është ftuar vetëm për t`i nënshkruar vendimet, për çka ka shprehur mospajtimin e saj dhe ka marrë mbështetje nga drejtori i Arsimit, i cili i ka sugjeruar që të mos nënshkruajë asnjë vendim, ku nuk ka qenë pjesëmarrëse në proces.


Data: 21.03.2011