Ekonomia

Deri në vitet e 90-ta, Gjilani kishte një ekonomi relativisht stabile. Ajo përbëhej nga Industria e tekstilit, Industria e duhanit, Industria e baterive – "IBGJ”, Fabrika e radiatorëve dhe stabilimenteve tjera ngrohëse, Fabrika e prodhimeve për xehetari dhe konstruksioneve të çelikta, Ndërmarrja hidro-ndërtimore dhe industriale “Morava e Binçës”, Therrtorja, Industria e miellit dhe e bukës e të tjera. Shfrytëzimi jo i drejtë dhe mirëmbajtja jo e duhur e këtyre kapaciteteve, gjatë periudhës së administrimit të dhunshëm serb në Kosovë, ka bërë që riaktivizimi të jetë i vështirë. Megjithatë, në shumicën e tyre u bënë përpjekje për ta rifilluar prodhimtarinë, ndërsa suksesi nuk qe i njëjtë.

1.Industria e tekstilit

Prodhon tepihë tafting, klasik, të dorës, perde, trikotazh. Gjendet në rrugën Gjilan- Preshevë. Aktualisht punojnë rreth 200 punëtorë, me të ardhura mesatare 103 €. Qarkullimi vjetor është 299.265 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është 5%. Kapacitetet e instaluara janë: tepihët tafting të thurur me dorë 4.000.000 (m²/vit), trikotazhë për fëmijë dhe të rritur 400.000 copë/vit si dhe perde të llojeve dhe modeleve të ndryshme 15.000.000 (m²/vit). Është themeluar në vitin 1958, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1985. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga importi-Turqia, ndërsa prodhimet e gatshme plasohen në tregun kosovar.

2.Industria e duhanit

Në kuadër të IDGJ-së vepron kombinati i duhanit, veprimtaria e të cilit është grumbullimi i duhanit, përpunimi dhe fermentimi i tij, si dhe prodhimi i cigareve: Bozhur, Dard, Holiday, Princ, etj. Gjendet në rrugën Gjilan – Ferizaj. Aktualisht punojnë rreth 240 punëtorë me të ardhura mesatare 210 €. Qarkullimi vjetor është 1.184.370/€. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është 33%. Kapacitetet e instaluara janë: 30 (t /në një ndërrim). Është themeluar në vitin 1945, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1989. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga tregu i Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, ndërsa prodhimet e gatshme plasohen në tregun kosovar.

3.Ndërmarrja shoqërore "Çeliku"

Prodhon drynari metalike për ndërtimtari, llamarinë ndërtimore për mbulimin dhe veshjen e objekteve industriale, punime për pozicione teneqepunuese, konstruksione të çelikta (konstruksion bartës për objekte industriale), ura, rula për shirita transportues.Gjendet në rrugën Gjilan-Bujanoc. Aktualisht punojnë rreth 187 punëtorë me të ardhura mesatare personale 150 €. Qarkullimi vjetor është 982.834 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (20-30%). Kapacitetet e instaluara janë 300 tonelata konstruksione të çelikta në muaj. Është themeluar në vitin 1947, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1990. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga importi: Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Sllovenia. Ndërsa plasmani i prodhimeve të gatshme bëhet në tregun kosovar.

4.Ndërmarrja shoqërore "Kualiteti"

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është grumbullimi i grurit, prodhimi i miellit dhe prodhimi i bukës dhe i pjekurinave. Aktualisht punojnë rreth 129 punëtorë me të ardhura mesatare personale 218 €/muaj. Qarkullimi vjetor është 705.210 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (40-50%). Kapacitetet e instaluara të furrës janë 1100 kg/orë. Kapaciteti i mullirit për bluarje është 20 tonë /në një ndërrim. Kapaciteti i deponimit të grurit në drithnikë është 1.300 vagona, ndërsa kapaciteti i terjes është 100 tonë / një ndërrim. Është themeluar në vitin 1975, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1978. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga prodhuesit individual nga regjioni i Gjilanit. Ndërsa plasmani i prodhimeve të gatshme dhe i shërbimeve bëhet në tregun e regjionit të Gjilanit.

5.Ndërmarrja shoqërore "Jugoterm"

Prodhon radiatorë solarë, kolektorë dhe prodhimeve tjera. Gjendet në rrugën Gjilan-Preshevë. Aktualisht punojnë rreth 215 punëtorë, me të ardhura mesatare 300 €. Qarkullimi vjetor është 3.144.430 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (40 %). Kapacitetet e instaluara janë : Prodhimi i radiatorëve 50.000 m² /në një ndërrim. Radiatorë gypor 1200 copë /në muaj. Kolektorë solar 1000 copë/ në muaj. Është themeluar në vitin 1978, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1984. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga Maqedonia dhe Greqia. Plasmani i prodhimeve të gatshme bëhet në tregun kosovar, shtetet e Ballkanit dhe në tregun slloven.

6.Ndërmarrja shoqërore IBGJ (Industria e baterive)

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është: Prodhimi i baterive të hapura, prodhimi i baterive cilindrike dhe të baterive disk, si dhe të prodhimeve të tjera, si llampat elektrike të tipeve të ndryshme, pollaramonteve për antena satelitore, etj. Gjendet në rrugën Gjilan-Bujanoc. Aktualisht punojnë rreth 200 punëtorë me të ardhura mesatare 150 €/muaj. Qarkullimi vjetor është 406.437 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (5 %). Kapacitetet e instaluara janë 15.000.000 Amper orë /në vit . Është themeluar në vitin 1976, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1990. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga Anglia dhe Gjermania. Ndërsa plasmani i prodhimeve të gatshme bëhet në tregun Kosovës, Sërbisë, Maqedonisë dhe Sllovenisë.

7.Ndërmarrja shoqërore "Grafikos"

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është: Shtypja e formularëve të ndryshëm, shtypja e materialeve përcjellëse për veprimtaritë ekonomiko-financiare, shtypja e gazetave, broshurave, reklamave, katalogjeve, librave shkollorë, kalendarëve, etiketave, prospekteve të ndryshme, etj. Gjindet në rrugën Gjilan-Preshevë. Aktualisht punojnë rreth 60 punëtorë me të ardhura mesatare 170 €. Qarkullimi vjetor është 245.989 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (30 %). Kapacitetet e instaluara janë: Makina Ofset e formatit “B1” 500 kalime të tabakut /në orë. Makina GTO e formatit “A3” 6000 kalime të tabakut /në orë. Është themeluar në vitin 1954, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 2000. Lënda e parë, kryesisht sigurohet nga Sllovenia. Ndërsa plasmani i shërbimeve dhe i prodhimeve të gatshme bëhet ekskluzivisht në tregun kosovar.

8.Ndërmarrja Hidro Ndërtimore Industriale "Morava e Binçës"

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është: Ndërtimi i ulët dhe ndërtimi i lartë, fabrika e banesave dhe hallave montazhë, baza e asfaltit, gurëthyesi dhe prodhimi i materialit ndërtimor, fabrikat e betonit të gatshëm. Gjendet në rrugën qarkore pjesa veriore e qytetit. Aktualisht punojnë rreth 715 punëtorë me të ardhura mesatare 125 €. Qarkullimi vjetor është 4.327.578 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është mesatarisht (25 %). Kapacitetet e instaluara janë urëthyesi, separacioni I= 60 m³ /në orë, separacioni II=120 m³ /në orë. Fabrikat e betonit kanë kapacitet prej 235 m³/në orë. Baza e asfaltit: Kapaciteti i bazës së parë është 25 tonë /në orë. Kapaciteti i bazës së dytë është 45 tonë /në orë. Është themeluar në vitin 1954, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1982. Lënda e parë, guri ndërtimor, fraksion i thyer sigurohet nga gurëthyesi i ndërmarrjes, ndërsa lëndët tjera merren nga tregu i Kosovës, Maqedonisë, Sërbisë, Bosnjës, Shqipërisë dhe Italisë. Plasmani i shërbimeve dhe prodhimeve të gatshme bëhet kryesisht në tregun kosovar.