Komiteti i Pronės rekomandon shpronėsime pėr qėllime tė ligjshme publike

 

 

Gjilan, 21 mars / Komiteti për Pronë, Banim dhe Rindërtim, në mbledhjen e së hënës, ka rekomanduar në Komitetin për Politikë dhe Financa propozim-vendimin për shpalljen e interesit publik për shpronësim të paluajtshmërive, për rregullimin e infrastrukturës rrugore në komunën e Gjilanit.
 
Ali Arifi, kryesues i Komitetit, ka thënë se rekomandimi është i kushtëzuar me plotësimin e kritereve të parapara ligjore për realizimin e qëllimit të ligjshëm publik, i cili duhet të shoqërohet me elaboratet e shpronësimit, ku saktësohet secila njësi kadastrale, apo pjesë e asaj njësie që duhet të shpronësohet.
 
Arifi ka thënë se, në bazë të Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, organi shpronësues është i autorizuar të bëjë shpronësimin vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve të parapara.  
 
Shpronësimi bëhet në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, për arritjen e një qëllimi të ligjshëm publik brenda kompetencave të tij të përcaktuara në ligj. Qëllimi i ligjshëm publik nuk mund të arrihet në mënyrë praktike pa kryerjen e shpronësimit.
 
Ligji nënvizon faktin se përfitimi publik nga shpronësimi, duhet të jetë më i madh se interesat, të cilat do të ndikohen negativisht nga shpronësimi dhe po ashtu, duhet siguruar se shpronësimi nuk është zgjedhur për arritjen e një qëllimi, ose synimi diskriminues, ka thënë Arifi.
 
Sipas këtij propozim vendimi, bëhet fjalë për katër projekte rrugore, përkatësisht rrugën “Hasan Remniku”, duke filluar nga aksi afër pikës së karburanteve “Kosova Petrol”, në drejtim të fshatit Livoç i Poshtëm, deri te rruga për Cërnicë, ku përfshihen 94 ngastra kadastrale.
 
Projekti i dytë është rruga “Jugu I”, pjesa e dytë, e cila përshkon 8 zona kadastrale, nga Fabrika e Radiatorëve e deri te rruga Gjilan-Preshevë, ndërsa tjetri, është rruga “Dardania I”, e cila lidhet me rrugën qarkore dhe përshkon 9 ngastra.
 
Projekti i fundit përfshin rrugën qarkore, që fillon nga magjistralja Gjilan-Bujanoc, përballë Fabrikës së Baterive dhe përfundon në magjistralen Gjilan-Ferizaj, përballë kolegjit “Gjilani”, me një gjatësi prej 7 kilometra. Ky rrugë përshkon 316 ngastra kadastrale.
 
Anëtarët e këtij Komiteti sugjeruan që të kihet parasysh fakti se disa nga ngastrat kadastrale, ku parashihet të realizohen dy projektet e fundit, tani i përkasin komunës së Novobërdës, prandaj është e nevojshme një marrëveshje ndërkomunale për këtë qëllim.


Data: 21.03.2011